Sezoni i dytë veror i prekur nga kriza e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit sjell parashikime të ndryshme mes ekspertëve të turizmit. Ndërsa disa qeveri janë optimiste, të tjera mbeten skeptike. Është e sigurt se na pret një sezon sfidues, ku do të vlejnë tendenca të ngjashme me ato të sezonit të kaluar, 2020.
Turizmi vendas dhe rajonal, një zgjidhje thelbësore për rimëkëmbjen
Masat e ndryshueshme dhe kufizimet, të kombinuara me rrethana të paparashikueshme jashtë vendit, kanë bërë që tendenca e turizmit vendas të mos ndryshojë ndjeshëm.
Shumë hotele dhe agjenci për menaxhimin e pronave synojnë të promovojnë destinacionet lokale, duke inkurajuar klientët të kontribuojnë në ekonominë e vendit.
Coworking në hotele
Tendenca që u rrit në mënyrë eksponenciale vitin e kaluar është coworking-u në hotele dhe dhënia me qira ditore e dhomave. Pritet që këtë vit kjo tendencë të vazhdojë të rritet dhe të përfaqësojë një potencial të madh për hotelet që e përfshijnë këtë lloj shërbimi në ofertën e tyre.

Shitjet direkte, faktori përshpejtues për rritjen e të ardhurave
Viti i kaluar na tregoi sa e brishtë është jashtëdhënia e shitjeve dhe se mbështetja tek kanale online si Booking, Expedia dhe Airbnb, së bashku me agjencitë e huaja turistike, nuk përbën një strategji të përshtatshme shitjesh. Aftësia për të gjeneruar rezervime pa komision, nëpërmjet një faqeje interneti ose kanaleve personale të shitjes, ishte një nga faktorët kryesorë të mbijetesës gjatë viteve të krizës.
Hotelet dhe qiratë afatshkurtra duhet të sigurojnë një prani të fortë online (faqe interneti dhe rrjete sociale), si dhe një motor rezervimesh të lehtë për t’u përdorur (recepsion online), i cili do të ndihmojë në gjenerimin e më shumë rezervimeve.
Mbështetja tek serverë joefiçentë dhe sisteme të vjetruara rezervimi është një pengesë dhe një faktor që ngadalëson procesin e rimëkëmbjes.
Kalimi drejt sistemeve të automatizuara
Siguria dhe reduktimi i kontakteve kanë nxitur kalimin drejt aplikacioneve mobile dhe zgjidhjeve cloud.
Aftësia për të pasur qasje në informacion nga çdo vendndodhje, në çdo kohë, është thelbësore për menaxherët profesionistë të shitjeve, në mënyrë që të përshtatin strategjinë e tyre në kohë reale edhe këtë vit. Fleksibiliteti është një virtyt që dallon të suksesshmit nga ata që nuk arrijnë sukses.
Rezervimet online kanë mundësuar hoteleve të mbledhin informacion për mysafirët sa më lehtë të jetë e mundur dhe të përshpejtojnë komunikimin.
Aktualisht ekziston një gamë e larmishme zgjidhjesh në treg që u mundësojnë hoteleve automatizim shumënivelësh dhe lidhje më të mirë mes punonjësve.
Aftësia për të deleguar qasjen e përdoruesve, qasja mobile në sistem në kohë reale, dhe shpejtësia e sistemit janë vërtetuar si mjete efektive për menaxhimin e një hoteli.
Sistemet hoteliere dhe sistemet e recepsionit të bazuara në teknologjinë cloud do të zëvendësojnë pothuajse tërësisht, në periudhën në vijim, sistemet e bazuara në instalim direkt në kompjuter.
Qëndrueshmëria
Tendencat tregojnë se mysafirët po interesohen gjithnjë e më shumë për hotelet e angazhuara ndaj qëndrueshmërisë, që kanë certifikata të gjelbra, energji diellore dhe zgjidhje të ngjashme.
Konsideratat mjedisore e hotelierëve dhe menaxherëve të pronave duhet të udhëhiqen nga vendime që sjellin përfitime mjedisore (ndryshime të thjeshta ekologjike, reduktim i konsumit të energjisë përmes llambave LED, etj.)
Fleksibiliteti
Për shkak të ndryshimeve të mëdha në masat e zbatuara, hotelet dhe apartamentet duhet të jenë të përgatitura si për një numër më të madh rezervimesh, ashtu edhe për një numër më të madh anulimesh.
Politikat fleksibile të anulimit, përgjigjet e automatizuara ndaj kërkesave të mysafirëve dhe një ofertë e larmishme janë disa nga faktorët që dallojnë hotelet dhe qiratë afatshkurtra që marrin më shumë rezervime nga ato që nuk arrijnë ta bëjnë këtë. Pavarësisht nëse shitjet vijnë nga kanalet e shitjes online (Booking, Airbnb, Expedia, Hotelbeds, etj.), përmes agjentëve turistikë apo drejtpërdrejt, fleksibiliteti është një tendencë në rritje.

